"Vdes siç vdes një vend" - Shqipëri

Përshkrimi:

27/09/2017, 21:13
Shfaqja është ndërtuar mbi baza alegorie dhe metafore skenike. Katër janë aktorët që do të interpretojnë tekstin e një personazhi të vetëm, por edhe të shumëfishtë, të shumë karaktereve brenda vetes, të gjithë të ndryshëm mes tyre në stil interpretimi, por edhe të ndryshëm në vetvete përgjatë shfaqjes, duke marrë format dhe trajtat që merr vendi të cilin personifikojnë. Skena do të jetë e mbuluar me qymyr, mbetje e të kaluarës së djegur dhe simbol i ripërtëritjes, rilindjes nga toka e djegur, nocioni Feniks. Aktorët luajnë zbathur në skenë. Pjesë kryesore e shafqjes është kori, i cili ngjan dhe me korin grek të antikitetit dhe me korin e burrave dhe grave të jugut të Shqipërisë. Personazhet janë degëzim dhe filiza të kësaj toke, ata janë “Toka Mëmë” dhe kjo e fundit është personazh. Loja zbathur e aktorëve, sjell në vëmendje një traditë shqiptare, e cila kërkon që në banesën ku ka ndodhur morti, të hyhet pa këpucë.
Stili i shfaqjes - Pamflet, sa klasik aq dhe modern me gjetje artistike regjisoriale shumë të rralla për teatrin shqiptar. Këto gjetje , përforcohen dhe nga prezenca e filmimeve video, të cilat shfaqen herë pas here në ekran si urë lidhëse mes kohërave dhe personazheve. I gjithë spektakli vjen në trajtën e një denoncimi publik, i një klithme, ku nuk mjafton vetëm fuqia e një shpirti për të deklaruar solemnisht atë çka ndjen. Aktorët do të përcjellin situata të jetuara në momente historike të shoqërisë së vendit të tyre, por dhe të vendeve fqinje, duke ndjekur kështu udhëtimin në kohë dhe hapësirë. Mbi këto baza, shfaqja, edhe pse mbart elemente të spektaklit avangard, është gjithpërfshirëse për publikun. Muzika luhet për së gjalli, kori këndon për së gjalli, elemente këto, që i japin shfaqjes nota të forta emocioni dhe drithërima. Skenografia është shumë e thjeshtë dhe simbolike. Luhet me ndriçim/ ngjyra.

Detajet:

Shfaqja: 20:00, 18 Tetor 2017
Autori:Dimitris Dimitriadis
Regjia:Rozi Kostani
Aktorët:Rozi Kostani, Alfred Trebicka
Produksioni:Teatri Kombëtar / National Theater




Festivali "Prishtina International Theater Festival" është një festival teatral ndërkombëtar që organizohet në ambientet e teatrit AAB "Faruk Begolli". Në këtë festival organizohen shumë evente nga vendi dhe jashtë saj.
© 2019 Prishtina International Theater Festival. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Developed by SHM